Lenovo V330 – laptop ideal për biznese (nën €500)?

0
148

Me rritjen e kompanive të teknologjisë por edhe me rritjen e përdorimit të teknologjisë ne biznese të fushave të ndryshme, kërkesa për llaptopa të punës është shtuar. Në vazhdimësi gjatë këtij muaji do të postojmë rekomandime për llaptopa të tillë, që vijnë nga hulumtimi që kemi bërë (edhe për nevojat tona) për llaptopa të besueshëm, fleksibil e të sigurtë që do t’ju lejojnë të fokusoheni në biznesin apo punën tuaj. E sot po e shikojmë një llaptop, Lenovo V330-14IKB, duke i vlerësuar të mirat dhe gjërat që i ka mangu ky llaptop.

Zakonisht llaptopat e dedikuar për biznes dhe punë nga Lenovo vijnë me shenjën ThinkPad, por tash e një kohë Lenovo është duke prodhuar llaptopa që kanë për target si shfrytëzues bizneset por që janë më të lirë në çmim. Fillimisht kjo seri është quajtur “Lenovo 3000” por tani njihet si “Lenovo V Series”. Këta llaptopa nuk i takojnë linjës profesionale ThinkPad por as nuk janë llaptopa për shfrytëzues të përditshëm normal.

Specifikat

– Intel Core i5-8250U(1.6/3.4GHz 4 bërthama / 8 threads)
– 8GB RAM
– Intel UHD Graphics
– 256GB SSD
– 14″ Full HD

Dizajni dhe karakteristikat
Përderisa laptopat ThinkPad vijnë me ngjyrë të zezë zakonisht, V330 ka ngjyrë të hirtë dhe dizajn modest (dhe jo aq konservativ sa ThinkPad) që i jep atij një pamje serioze pune. Tastiera të jep një ndjenjë metalike por sipas Lenovo është e ndërtuar nga pllastika, që do të thotë se mund të jetë plastikë e stilizuar. Tastiera me butone të mëdha ka një dizajn ergonomik të krijuar për shkrim të saktë dhe komfort.Ka një peshë prej ~1.6kg dhe ndërtim shumë solid. Me rezultate të mira ka kaluar testet e baterisë, gërvishtjeve, temperaturës e presionit. duke dëshmuar se është krijuar për tu përballur me cdo nevojë tuajën dhe të biznesit apo punës tuaj.
Ka një kamerë HD dhe zërim të pasur Dolby që siguron se takimet tuaja që zhvillohen përmes internetit do të kenë kualitetin që meritoni.
Ekrani, që ka pjesë të pakëndshme për sy përreth tij që i jep një pamje të vjetëruar, është 14″  me rezolucion 1920 x 1080 Full HD dhe mund të hapet deri në 180 shkallë, gjë që e bën mjaft fleksibili përdorimin e tij si për punë ashtu edhe për të shikuar ndonjë gjë në Netflix apo Youtube. Gjë që nuk na pëlqen shumë tek ekrani janë ngjyrat që duken të zbehura në krahasim me konkurencën.


Laptopi ka edhe një port Ultrabay ku mund të futni një USB apo një bateri shtesë me të cilën ju mund të punoni për një kohë të gjatë. Vetë bateria e integruar e laptopit ka treguar rezultate mesatare, në përputhje me laptopat tjerë të kësaj kategorie, por është pikërisht porti Ultrabay që e dallon duke ju dhënë mundësi të keni edhe një bateri shtesë për nevojat tuaja.
Ka një mori porte USB 3.0 / 3.1 Gen 1 dhe Gen 2, portet HDMI, VGA dhe Gigabit Ethernet, mban të integruar lexuesin e kartelave të memories, lexuesin e shenjave të gishtërinjëve dhe kamerën HD si dhe funksionon me sistemin operativ Windows 10 Pro.

Siguria

Për një llaptop të kategorisë së lirë, ky llaptop ka disa karakteristika të mira të sigurisë. Në anën e djathtë kemi një Kensington Lock që parandalon vjedhje ne llaptopit kurse pranë tastierës në anën e djathtë gjendet senzori për shenjat e gishtërinjëve (fingerprint sensor) i cili ka marrë vlerësime të mira. Gjithëashtu ka firmëare të integruar (Trusted Platform Module) që mbron të dhënat dhe fjalëkalimet tuaja. Ndër karakteristikat më të rralla edhe në llaptopat më modern është Camera Shutter, një paisje e vogël që ju lejon të mbyllni kamerën e llaptopit në rast të frikës se cenimit të privacisë tuaj. Gjithëashtu është kompatibil edhe me Windows Hello, aplikacion nga Windows që detekton fytyrën si mjet hapës të laptopit.

Verdikti
Lenovo V330-14IKB pavarësisht disa mangësive (bateria, ngjyrat e ekranit) është një llaptop i përshtatshëm për biznese, zyre dhe punë. Ka një vlerë të mirë kur krahasohet kualiteti dhe karakteristikat me cmimin që paguani. Pra, nëse po kërkoni një laptop për biznesin tuaj apo punën që bëni dhe nuk dëshironi të shpenzoni më shumë se 500 euro, kjo është një zgjidhje e mirë për ju.

Mund ta bleni tek Gjirafa50 për €499.50 (me zbritje nga €569,50)

Çmimi i produktit në kohën e publikimit